Bashkimi Evropian po punon që vaksinat kundër COVID-19 të jenë të disponueshme edhe për Ballkanin Perëndimor, sapo të fillojë shpërndarja në territorin e BE-së. Këtë e bëri të ditur komisionari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

“Po ndajmë fonde për aranzhimet mbështetëse dhe koordinuese. Në pandemi qëndrojmë pranë Ballkanit Perëndimor, e ardhmja e të cilit është në BE”, shkroi Varhelyi në llogarinë e tij në Twitter.

Përmes një video-konference, ai bisedoi të premten me ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit rreth asaj se si të ndihmohet furnizimi i tyre me vaksinat kundër koronavirusit.

Ndryshe, Agjencia Evropiane e Barnave pritet t’i miratojë vaksinat për tregun evropian të hënën, ndërsa, sipas paralajmërimeve, vaksinimi në BE do të nisë më 27 dhjetor.