Begaj për sulmet e fundit kibernetike: Siguria mbetet prioriteti ynë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se siguria në vend do të mbetet prioritet, pas sulmeve të fundit kibernetike në Shqipëri.
Begaj kujtoi sulmin e 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, ku humbën jetën rreth 3 mijë persona.
“Sot kujtojmë me dhimbje dhe respekt të gjithë ata që humbën dhe sakrifikuan jetën në sulmin terrorist të 11 shtatorit kundër SHBA dhe demokracisë, sulme të cilat e ndryshuan botën dhe perceptimin për sigurinë përgjithmonë”, shkroi Begaj.
Presidenti shqiptar tha se “në fokus kanë rritjen dhe zhvillimin, duke forcuar lidhjet me partnerët e aletatët”.
“Sulmet kibernetike të kohëve të fundit në infrastrukturën tonë virtuale sjellin në vëmendje që siguria duhet të mbetet prioriteti ynë kryesor. Ne duhet të fokusohemi tek ngritja dhe zhvillimi i kapaciteteve tona ndërkohë që forcojmë lidhjet me partnerët dhe aleatët tanë për të mbrojtur sigurinë e vendeve dhe qytetarëve. Fuqizimi, bashkëpunimi dhe efektiviteti i institucioneve për të reaguar shpejt dhe në kohë përbëjnë çelsin e suksesit për të ruajtur të pacënuar sigurinë kombëtare”, përfundon shkrimi i Begajt në Facebook./21Media

Back to top button