Komuna e Malishevës, që është një prej komunave me numrin më të madh të të prekurve me Covid-19, tash e sa ditë nuk ka shënuar raste të reja. Nga 76 të prekur tashmë 71 janë të shëruar, një i vdekur, ndërsa katër po trajtohen.

Megjithatë, shqetësimi më i madh mbetet ekonomia. Kryetari i kësaj komune Ragip Begaj në një intervistë për Kp tha se shpreson se qeveria e Kosovës me pakon emergjente të komunave do t’i dalë në ndihmë edhe Malishevës.

I pari i Malishevës tha se dëmet ekonomike në këtë komunë janë të konsiderueshme, mirëpo prioritet i tij këtë kohë, tha se ka qenë menaxhimi i shëndetësisë më konkretisht situata e krijuar me Covid-19.

“Kemi kërkuar ndihmë dhe bizneset vetë kërkojnë ndihmë drejtpërdrejtë, po presim si komunë, një pako që e kanë paraparë ata për komunat, ta shikojmë se si do ta përkrahin komunën e Malishevës. Pasojat ekonomike nuk janë të lehta megjithatë qëllimi im kryesor është, mos me pas pasoja në njerëz, kur shpëtoi jeta e njerëzve sigurisht do ta marrim jetën dalëngadalë”, tha Begaj.

Ai shtoi se tërë këtë situatë të krijuar me pandeminë Covid-19, si komunë e kanë menaxhuar në nivelin e duhur, derisa theksoi se 1 mijë e 800 familje në gjendje sociale, janë ndihmuar nga donatorët.

“Besoj që e kemi menaxhuar mirë situatën, pavarësisht rrethanave tona, pasojat ekonomike do t’i ndiejmë më vonë, megjithatë 1 mijë e 800 familjeve i kemi furnizuar t’i falënderojmë donatorët… Megjithatë besoj që edhe qeveria në pakon e vet do t’i përfshijë këta njerëz që kanë punuar dhe do të ketë konsideratë për ta”, tha ai.

Pas heqjes së karantinës në komunën e Malishevës, Begaj shtoi se qytetarët po vazhdojnë t’i respektojnë rregullat.

“Rregullat në komunën e Malishevës janë respektuar gjithë herë, ne kemi marrë edhe vendime shtesë si Kuvend Komunal, për shkak të situatës që kemi pasur, tani i kemi hequr ato vendime në fuqi janë vendimet e qeverisë të cilat po zbatohen në përpikëri”, u shpreh Begaj.