U mbajt manifestimi tradicional në kuadër të Epopesë së UÇK-së “Nata e Zjarreve”

U mbajt manifestimi tradicional në kuadër të Epopesë së UÇK-së “Nata e Zjarreve”

Në manifestimin e “Natës së Zjarreve”, kryetari i Komunës së Skenderajt dhe nipi i Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, Bekim Jashari theksoi se sot kujtojmë e nderojmë të gjithë ushtarët, dëshmorët e martirët që ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë.

Në përmbyllje të aktiviteteve të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jashari tha se kujtojmë e nderojmë luftën heroike të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, “ku për 3 ditë radhazi baba Shaban, Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Babushi Hamëza dhe e gjitha familja Jashari, djemtë e vajzat me vendosmëri e të pa mposhtur luftuan kundër okupatorit serb”.

Jashari theksoi se duhet të punohet bashkërisht, përtej dallimeve tona ideologjike, politike e konceptuale në zhvillimin e vendit, fuqizimin e rendit e ligjit, arsimit, shëndetësisë e rinisë, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe ndaljen e migrimit të të rinjve jashtë vendit.