"Kemi jo vetëm ambivalencë, por kemi edhe hipokrizi të tre faktorëve"

“Kemi jo vetëm ambivalencë, por kemi edhe hipokrizi të tre faktorëve”

Në emisionin debatues “Click” në RTV21 është diskutuar lidhur me mesazhet që ka dhënë kancelari Austriak Sebastian Kurz gjatë vizitës në Prishtinë.

Politologu Behlul Beqaj ka thënë se kemi jo vetëm ambivalencë, por kemi edhe hipokrizi të tre faktorëve, shkruan rtv21.tv

“Fillimisht të Bashkësisë Evropiane e cila si duket ma tepër ka qenë e interesuar Mogherini që ta përcjellë fatin e ish-presidentit Ahtisari me çmimin e Nobelit ose të jetë si kandidate për kryeministre në Itali, se sa që ka qenë e përkushtuar që seriosisht ta ndjekë një proces real të dialogimit”, ka thënë Beqaj.

Duke folur lidhur me faktorin e dytë, Beqaj tha se Serbia nuk e ka nisur këtë proces për zgjidhjen dhe normalizimin e raporteve, por për ta kontestuar shtetin, statusin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Së fundit edhe kryenegocatori ynë ka qenë pikërisht ai që ka pas ambivalencë dhe hipokrizi se ja nisi marrëveshjes me tema teknike dhe si duket po don me përfundu nëse mundet me tema territoriale. Është një hipokrizi e llojit të veçantë”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa lidhur me deklaratat e kancelarit Sebastian Kurz, Beqaj tha se është një lloj hipokrizie “se shteti Austriak i cili historikisht ka qenë mbështetës jo vetëm i Kosovës, por edhe i shqiptarëve realisht me këtë veprim po tregon që shtetin që e ka pranuar në këta kufij është në gjendje për ta rishikuar pikëpamjen kur është në pyetje kufiri. Është një hipokrizi dhe dyfytyrësi pikërisht edhe e këtij që ka ardh me na e thanë sot këtë”./21Media