Nuk ka tjetër zgjidhje

Nuk ka tjetër zgjidhje

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Llapi i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit me të, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së Amerikës për heqje të taksës 100%.

Në tubimin e LDK-së për zgjedhjet në Podujevë, nënkryetari i partisë Ismet Beqiri tha se ose do të bëhet siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose do të ndahen rrugët, meqë sipas tij nuk ka bashkëpunim me ata që rrezikojnë partneritetin me Amerikën.

“As me këta që jemi aktualisht nëse rrezikohet partneriteti. Këtë po u siguroj, jemi në tubim, le ta harrojnë nëse mendoj ë me bë lojëra dhe ne me na fut në luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë në kuptimin e mosdëgjueshmërisë, kjo nuk do të ndodh dhe o do të bëhet ajo çfarë kërkojnë miqtë tanë, partnerët tanë, sponsorizuesit e këtij shteti, o ne i ndajmë rrugët, i ndajmë dhe nuk ka tjetër zgjidhje”, tha Beqiri.

Për partneritet të fuqishëm me aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, foli edhe shefi i deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi. Ai tha se askush nuk mund të prish marrëdhënien e LDK-së me ShBA-të.

Ai tha se LDK ka miqësi të veçantë me Shtetet e Bashkuara që prej kohës së Ibrahim Rugovës.
E kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari në tubimin e mbajtur në fshatin Kërpimeh, tha se LDK në Llap i ka rrënjët thellë përkundër që disa të tjerë po provojnë t’i lëkundin ato.

Rudari tha se do të bashkëpunojë me ministra e deputetë, që siç tha ai do të jetë avokat i qytetarëve të Llapit.

Në tubim u tha se Llapi është identiteti i LDK-së dhe kjo parti nuk mund të paramendojë vetën pa qeverisur aty.