Berjani: Vetëm një marrëveshje afatgjatë sjell stabilizim në tregjet e naftës

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha se rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare “mund të jetë një reagim afatshkurtër”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Berjani tha se rihapja e Ngushticës së Hormuzit – e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit – ka sjellë “pak qetësi në tregjet e naftës”.

“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër. Nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë”, shkroi Berjani në një postim në Facebook.

Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se çmimi tavan i lejuar për naftën sot në Kosovë,  është 1.89 euro për litër.

Back to top button