Autoriteti i turizmit në Berlin ka nisur një fushatë reklamash që paraqet një grua të moshuar duke ua drejtuar gishtin e mesit njerëzve që nuk pranojnë të mbajnë maska.

“Gishti tregues i ngritur për të gjithë ata që nuk kanë maskë”, shkruhet në poster, së bashku me një foto të gruas me maskë.

Një vizitor i Berlinit ka thënë se fushata është për të nxjerrë në pah rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit të të moshuarve.

Por, fushata ka rezultuar e diskutueshme dhe disa në Gjermani e quajnë atë fyese, transmeton rtv21.tv.

Reklama “Ne i bindemi rregullave të koronës”, nisur nga “Senati i Berlinit” dhe “Vizitone Berlinin”, fillimisht u shfaq të martën në një gazetë lokale, por u përhap shpejt në mediat sociale.

Christian Tänzler, zëdhënës i “Vizitone Berlinin”, tha që posteri i cili është pjesë e një fushate më të gjerë është për t’i udhëzuar njerëzit të ndjekin rregullat në qytet.

“Shumica e berlinëve dhe mysafirëve tanë respektojnë dhe ndjekin rregullat, por disa njerëz nuk i respektojnë. Këta njerëz rrezikojnë jetën e njerëzve të moshuar dhe njerëzve nga komuniteti në rrezik” tha ai.

“Ne kemi dashur t’i kushtojmë vëmendje këtij problemi. Për këtë arsye ne kemi zgjedhur këtë motiv provokues”, u shpreh tutje ai.

Por, fushata nuk ka qenë për shijen e të gjithëve.

Lorenz Maroldt, kryeredaktor i gazetës “Berlini Der Tagesspiegel”, nuk ishte adhurues.

“Unë mendoj se reklama është në një farë mënyre ‘Berlini klasik’ dhe do të funksiononte mirë pa korona-politikë jofunksionale të Senatit si një kontrast me të”, tha ai.

Ai shtoi se Senati duket se mendon se fyerja e njerëzve është më e suksesshme sesa rregullat e rrepta, të qarta me kontrolle efikase. “Ata dështuan me këtë plotësisht”, tha tutje Lorenz Maroldt.

Gjithashtu, disa janë hutuar pasi teksti thotë “gishti tregues” ndërsa gruaja është duke ngritur gishtin e mesit. “Vizito Berlinin” ka thënë që kontradikta është e qëllimshme.

Të tjerët kanë theksuar se disa njerëz nuk mund të mbajnë maska për arsye shëndetësore./21Media