Bakllavën e ka t’holluar dhe po ia hedh shërbetin. Po e bënë gati që ta shërbejë nesër për festën e Fitër Bajramit. Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit ka gatuar vetëm një bakllavë, sepse nuk pret mysafirë. Shkak është ora policore, e cila do të fillojë në ora 11:00 të dielën, kurse do të përfundojë në orën 05:00 të martën.

“Bakllavën e kam pjek dje dhe e kam t’holluar. Tash po ia qes sherbetin. Është mirë të qëndrojë një ditë sherbeti sepse bëhet më e mirë. Sivjet kam t’holluar më pak sepse planifikojmë të kemi më pak mysafirë. Është një traditë familjare dhe nuk deshëm edhe sivjet ta harrojmë, ta anashkalojmë”.

Për shkak se është një ëmbëlsirë tradicionale, të tjerët po e blejnë. Disa në kuti të vogla, e ca të tjerë në tepsi. Nuk po harrohen edhe produktet e tjera dhe as blerja e rrobave të reja për fëmijët.

Për shkak se ky bajram po festohet në pandemi, edhe në urimin kryesor të Bashkësisë Fetare Islame u ftua për kujdes ndaj shëndetit.

“Ju lutem, tregoni kujdes për shëndetin e juaj, deri në eliminimin e tërësishëm të masave që po i imponon pandemia fatkeqe e cila ka përfshirë tërë globin. Sepse mbrojtja e shëndetit, është një obligim i rëndësishëm fetar islam. Të dashur besimtarë, urime të përzemërta për festën e Fitër Bajramit. E gëzofshi të gjithë anëtarët e familjeve të juaja, me miq, shokë dhe dashamirë”, tha kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Maturi dhe disiplinë nga besimtarët kërkoi edhe presidenti Stevo Pendarovski.

“Ju bëj thirrje të mbetemi të kujdesshëm dhe të disiplinuar dhe t’i respektojmë rekomandimet në luftën kundër Covid-19 që t’i japim fund kësaj sfide të gjeneratës dhe të sigurojmë jetë të shëndetshme për të gjithë ne në të ardhmen”, tha Stevo Pendarovski.

Manifestimi qendror i Bajramit nuk do të mbahet, ndërkaq falja nuk do të zgjasë më shumë se 15 minuta dhe do të jetë në distancë, në sexhade që do të merren nga shtëpia. Çdonjëri do të jetë i obliguar të marrë abdes në shtëpi. Nga BFI rekomanduan që të mos vizitohen varrezat dhe maksimalisht të shmangen vizitat familjare, raporton TV21./21Media