Ish-mbrojtësi i Ballkanit, Besnik Krasniqi është lojtari më i ri i klubit të Prishtinës.  Krasniqi ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me skuadrën e Armend Dallkut dhe është shprehur shumë i lumtur me një marrëveshje të tillë.

“Pas shtatë vitesh, 30-vjeçari, Besnik Krasniqi sërish kthehet në shtëpi. Fëmija i Prishtinës i cili me bardhekaltrit për pesë vite, nga edicioni 2008 – 2013, kishte fituar gjithçka me Prishtinën, të gjitha! Tre tituj kampioni, një kupë dhe dy superkupa duke u paraqitur në 137 ndeshje zyrtare dhe duke shënuar 16 gola, sidomos edicioni i fundit më 2012/13 ishte i jashtëzakonshëm, golashënuesi i dytë i skuadrës me 14 gola dhe “kurora e dyfishtë”, e vetmja në histori të klubit. Pas kësaj, Besniku ka vazhduar karrierën në Partizan të Tiranës (2013/14), Teutë të Durrësit (2014), Istog (2015), Gjilan (2015), Flamurtar i Vlorës (2016), Feronikel (2016/17), Llap (2017), Vëllaznim (2018) dhe në dy edicionet e fundit ishte pjesë e skuadrës së Ballkanit.

“Nga sot jam kthyer në klubin ku u rrita dhe fillova karrierën profesionale. Iu premtoj të gjithëve që do të jap më të mirën nga vetja për klubin e qytetit tim”, ka thënë Besnik Krasniqi pas nënshkrimit të kontratës dyvjeçare.”, thuhet në njoftimin e klubit.