Sipas projeksionit të mediumit CNN, kandidati i demokratëve për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Joe Biden, do të fitojë edhe në Michigan.

Shteti përmban 16 vota elektorale, derisa nevojiten gjithsej 270 vota për të fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Ndryshe, kandidati demokrat Joe Biden ka folur nga Chase Center në Wilmington, Delaware, i njëjti vend ku ai pranoi nominimin nga demokratët në muajin gusht.

I nominuari demokrat tha se ishte “e qartë” se do të “godiste” 270 votat elektorale të nevojshme për të fituar presidencën.

Ai është shprehur se kjo fitore nuk është vetëm e tij, por “e të gjithë amerikanëve” pa dallim nga ngjyra e partisë që kanë votuar dhe është zotuar se do të punojë fort për të gjithë si “President i Shteteve të Bashkuara”.

Biden pohoi se këto kanë qenë zgjedhje të gjata dhe të vështira, por nga ana tjetër shtoi se ajo çka ka qenë me të vërtetë e vështirë kanë qenë “koha në të cilën ka jetuar populli amerikan”.

Për të, fitorja më e madhe ishte vota popullore e cila ka shënuar një shifër rekord duke lënë pas rekordin e mëparshëm që mbahej nga ish-presidenti Barack Obama.