Pasi formalisht e fitoi nominimin e Partisë Demokratike për të garuar për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden raportohet se ka përkrahje më të madhe të popullit amerikan sesa kreu i tanishëm i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, sipas rezultateve të një sondazhi.

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, e ka siguruar numrin e mjaftueshëm të delegatëve për t’u nominuar zyrtarisht si kandidat i Partisë Demokratike për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, transmeton rtv21.tv.

Pas kësaj IBD-TIPP ndërmorri sondazhin e tyre e në bazë të rezultateve Koe Biden përkrahet nga 45 për qind e amerikanëve, ndërsa Donald Trump nga 42 për qind e tyre. Nga sondazhi i qershorit duket se epërsia e presidentit të tanishëm që e kishte nga votuesit e regjistruar në kulmin e pandemisë ka filluar të dobësohet.

Në maj, 41 për qind e amerikanëve pajtoheshin me veprimet e presidentit Trump në lidhje me menaxhimin e pandemisë, por në qershor kjo përkrahje ra në 38 për qind dhe 46 për qind ishin kundër.

E vetmja fushë ku presidenti Trump ende ka përkrahje është ekonomia. Në qershor, 46 për qind e pjesëmarrësve në sondazh e përkrahën punën e tij në këtë fushë dhe vetëm 37 për qind e kundërshtuan.

Megjithatë, në krahasim me rezultatet e majit, përkrahja në këtë aspekt ra për katër për qind dhe pakënaqësia u rrit për 9 për qind.

Zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara pritet të mbahen në nëntor të këtij viti. Në këtë garë, Joe Biden do të përballet me presidentin e tanishëm të ShBA-së, Donald Trump, i cili vjen nga radhët e Partisë Republikane./21Media