Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden, ka thënë se rasti i afrikano-amerikanit George Floyd do ta ndryshojë botën.

Pas një takimi privat me familjen e George Floyd-it në Houston të Teksasit për t’i shprehur ngushëllimet e tij, ish-nënpresidenti Joe Biden tha se vdekja e afrikano-amerikanit ishte një nga pikat më të mëdha të ndryshimit në historinë amerikane.

Joe Biden e ka kritikuar ashpër presidentin, Donald Trump, i cili do të garojë për mandatin e dytë për president si kandidat i Partisë Republikane, duke e akuzuar atë gjatë fundjavës se ka bërë deklaratë shumë të pakëndshme për Floyd-in.

Në Hjuston të Shteteve të Bashkuara do të varroset sot Floyd, afrikano-amerikani që vdiq në duart e policisë, transmeton rtv21.tv.

Floyd, 46 vjeç, do të varroset pranë nënës së tij. Ai ka vdekur më 25 maj, pasi një oficer i bardhë i policisë e ka shtypur me gju në pjesën e pasme të qafës.

Floyd është ndaluar nga policia nën akuzat se ka krijuar një faturë false, në vlerë prej 20 dollarësh.Vdekja e tij ka shkaktuar protesta masive kundër racizmit në SHBA, të cilat janë përhapur edhe në pjesë të tjera të botës.

Të katër policët që kanë marrë pjesë në ndalimin e Floydit janë pushuar nga puna dhe janë akuzuar për vrasje ose bashkëfajësi në vrasje./21Media