Bideni ka ngushtuar epërsinë e Trumpit në Pennsylvania dhe Georgia, derisa ka ruajtur avantazhin e ngushtë në Nevada dhe Arizona. Numërimi i votave në këto shtete vendimtare është zvarritur për dy ditë pas mbylljes së vendvotimeve më 3 nëntor, derisa përkrahës të dy taborëve kanë mbajtur protesta në qytetet më të mëdha lidhur me procesin e numërimit

Demokrati Joe Biden ndodhet më afër fitores kunder Donald Trumpit në garën presidenciale me rezultate jashtëzakonisht të ngushta në një numër të vogël shtetesh, derisa presidenti republikan ka intensifikuar të enjten përpjekjet ligjore për të ndikuar në numërimin e votave dhe ka bërë pretendime të tjera të paqëndrueshme për manipulime.

Biden, ish-nënpresident amerikan, ka ngushtuar gjatë së enjtes epërsinë e Trumpit në Pennsylvania dhe Georgia, derisa ka ruajtur avantazhin e ngushtë në Nevada dhe Arizona.

Numërimi i votave në këto shtete vendimtare është zvarritur për dy ditë pas mbylljes së vendvotimeve më 3 nëntor, derisa përkrahës të dy taborëve kanë mbajtur protesta në qytetet më të mëdha lidhur me procesin e numërimit.

Gjatë një konference për medie në Gettysburg, Biden ka thënë se nuk ka dyshime në fitoren e tij dhe është shprehur i bindur se do ta mposhtë Trumpin për t’u shpallur president i SHBA-së.

Trump, i cili ka sulmuar integritetin e sistemit zgjedhor amerikan gjatë fushatës, të enjten ka adresuar sërish akuza për manipulime, pa ofruar dëshmi, ndërsa ka akuzuar demokratët se synojnë “t’i vjedhin” zgjedhjet.