"Ne kemi mungesë të infektologëve, ashtu siç ka mungesë të infektologëve në nivel të Kosovës, por si staf jeni mirë të realizuar"

“Ne kemi mungesë të infektologëve, ashtu siç ka mungesë të infektologëve në nivel të Kosovës, por si staf jeni mirë të realizuar”

Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit në këtë kohë pandemie është duke funksionuar normalisht dhe ka në dispozicion të gjitha shërbimet që i menaxhon si spital. Po ashtu, stafi mjekësor është i pajisur me pajisjet e nevojshme mbrojtëse medicianale.

Kështu bëri të ditur për Kp, drejtori klinik në Spitalin i Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismaili, i cili tha se ka rënë edhe numri i atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore, pasi që qytetarët vetëm për nevoja emergjente po kërkojnë ndihmë mjekësore.

“Fluksi i qytetarëve ka rënë sepse njerëzit janë vetëizoluar dhe vina vetëm për nevojat emergjente ku nuk mund t’i kryejnë diku tjetër na drejtohen neve. Jemi në shërbim 24 orë, shërbimi infektiv 24 orë shërbimi i sallave operative 24 në 24 orë. Gjinekologjia 24 në 24 orë i kemi komplet shërbimet që ne i menaxhojmë”, u shpreh Ismaili.

Ismaili, i cili është edhe anëtar i Komitetit të Menaxhimit të COVID19 në Gjilan tha se falë këtij komiteti kanë arritur të sigurojnë pajisjet higjienike e sanitare të nevojshme karshi koronavirusit.

“Nuk jemi keq me pajisje elementare por mungojnë ato që mungojnë edhe çdo kund tjetër jo për shkak të pamundësisë për me i sigurua, por për shkak të mungesës në treg po mundohemi të plotësohemi në nivelin komunal që ky komitet është shumë mirë i organizuar si në anën profesionale po ashtu edhe të furnizimit me mjetet e nevojshme higjienike, sanitare dhe epidemiologjike”, tha ai.

Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit e theksoi mungesën e infektologëve në këtë komunë, por që tha s e në nivel spitali kanë organizuar edhe ekipin mjekësor për menaxhim të situatës.

Ai tha se me ngritjen e temperaturave me qëllim të parandalimit kontrollet mjekësore kanë nisur të organizohen në tenda.

“Ne kemi mungesë të infektologëve, ashtu siç ka mungesë të infektologëve në nivel të Kosovës, por si staf jeni mirë të realizuar kemi organizuar edhe në nivel të spitalit ekipin për menaxhim të situatave… Klinika Infektive nga tani qe është nxehur koha me dal edhe në tenda që FSK i ka ofruar dhe jemi mirënjohës për mundësinë që na kanë dhënë mundësinë me organizua dhe me pas më ndryshe pa rrezikuar të tjerë në sistemin fushor”, deklaroi ai.

Në komunën e Gjilanit deri tani janë identifikuar të prekur me koronavirus 24 persona, prej tyre 17 janë shëruar.

Në Kosovë me COVID-19 pozitiv kanë rezultuar 423 persona, prej tyre të shëruar janë 71, ndërsa 10 persona kanë vdekur.