Mungesa e reshjeve atmosferike ka bërë që liqenet e Badovcit dhe Batllavës kanë nisur të shterojnë. Niveli i ujit në liqenin e Badovcit, sot është 10 metra e gjysmë nën kuotën maksimale, ndërsa liqeni i Batllavës 7.32 metra.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku tha për kp se aktualisht ka furnizim të rregullt me ujë, por gjatë muajit korrik do të fillojnë me reduktime, sidomos në zonat që furnizohen nga liqeni i Badovcit.

“Deri më tash furnizimi ka qenë dhe vazhdon të jetë 24 orë pa ndërprerë, mirëpo duke e pasur parasysh mungesën e gjatë të reshjeve atmosferike, ne po mendojmë që nga muaji korrik të hymë në reduktime, sidomos në zonat që furnizohen nga liqeni i Badovcit, sepse niveli i ujit në liqenin e Batllavës është minus 7.32 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes, ndërsa nivelin e ujit më keq e kemi në Liqenin e Badovcit dhe është diku minus 10 metra e gjysmë nën kuotën maksimale”, tha Mjeku.

Mjekut tha se liqeni i Badovcit që nga viti 2007, asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të keqe, andaj apelon qytetarët për kursim maksimal të ujit të pijes dhe të paguajnë faturat.

“Nëse i krahasojmë me periudhat paraprake, liqeni i Badovcit asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të keqe prej vitit 2007.. Pagesat kanë qenë më të paketa, andaj lusim qytetarët, ata të cilët kanë mundësi që gjatë kësaj kohe të mos i grumbullohet borxhi, të bëjnë pagesa të rregullta për shërbimet, sepse jemi kompani vetëfinancuese dhe të gjitha të hyrat shpenzohen për nevoja të kompanisë dhe shpërndarje të ujit deri te rubineti i konsumatorit”, deklaroi ajo.

Ndër të tjera ajo tha se për shkak të pandemisë Covid-19, të hyrat kanë qenë më pak se 50% e totalit, megjithatë sipas saj, ekipet e mirëmbajtjes të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit gjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të qytetarëve.