Bashkësia Islame e Kosovës(BIK), ka reaguar pas sulmit në Nice të Francës, që la të vdekur tre persona dhe disa të plagosur.

BIK e ka quajtur këtë sulm si akt të neveritshëm dhe terrorist, duke thënë se janë veprime që bien ndesh me parimet e feve dhe mësimet e pejgamberëve.

“Sulmi i djeshëm në Nice të Francës është akt i neveritshëm, terrorist, që ka për qëllim frikësimin dhe atakimin e vlerave humane e njerëzore. Bashkëndjejmë dhimbjen me familjarët e viktimave dhe popullin francez. Marrja e jetës së njeriut si dhe atakimi i objekteve fetare, janë veprim që bien ndesh me parimet e feve dhe mësimet e pejgamberëve”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, fetë nuk kanë për qëllim përplasjet, dhunë e tmerret, por kanë për qëllim udhëzimin dhe fisnikërimin e popujve dhe shoqërive tona.

Personi i dyshuar që vrau tre persona në një kishë franceze mbërriti vetëm ditë më parë nga Tunizia në Evropë. I dyshuari, 21 vjeçar, kishte një dokument të Kryqit të Kuq Italian, lëshuar pasi ai arriti me një anije migrantësh në ishullin Lampedusa të Italisë muajin e kaluar. Ai u qëllua nga policia dhe tani është në një gjendje kritike. Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se ishte një “sulm terrorist islamik”. Macron tha se numri i ushtarëve që po vendosen për të mbrojtur vendet publike, të tilla si kishat dhe shkollat do të rritet nga 3,000 në 7,000./21Media