Bilbao fitoi Superkupën e Spanjës
18 Janar 2021
Athletic Bilbao mbrëmë e ka fituar Superkupën e Spanjës, pasi mposhti Barcelonën me rezultat 3-2 në një finale që shkoi në vazhdime.
Ishte minuta e 40-të kur Barcelona kaloi në epërsi me golin e Antoine Griezmannit, por festa e tyre nuk zgjati shumë.
Pas vetëm dy minutash, De Marcos i barazoi shifrat në 1-1, duke përfituar nga një gabim i skuadrës katalunase.
Në 45 minutat e dytë, Barcelona ishte më e vendosur dhe kërkonte që të mbyllte çështjen e fituesit, mirëpo në fund u befasua.
Ishte minuta e 77-të kur përsëri Griezmann e riktheu epërsinë për Blaugranasit me një asistim nga Jordi Alba.
Por, katalunasit nuk arritën që të mbanin këtë epërsi deri në fund, pasi Bilbao shënoi në minutën e 90-të me anë të Asier Villalibre, për të çuar ndeshjen në vazhdime.
Aty, Baskët u treguan më kërkues dhe arritën që të përmbysnin rezultatin me anë të Inaki William (94′ të vazhdimeve) me një asistim brilant nga Iker Muniani, për të fituar kështu Superkupën e Spanjës në fund.
Pikërisht, fundi i takimit solli episod interesant pasi Leo Messi u ndëshkua me karton të kuq për herë të parë si lojtar i Barcelonës.