Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi deklaroi sot se Kosova do të punojë në intensifikim të marrëdhënieve bilaterale me Francën në rrafshin politik dhe ekonomik.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel dhe një delegacion të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), të përbërë nga Dominique Hautbergue, udhëheqës i Zyrës Rajonale së AFD-së për Ballkanin Perëndimor, Cécilia Maronnier, atashe e bashkëpunimit në Ambasadën e Francës në Kosovë, Florence Dobelle, shefe e rajonit për shërbim ekonomik, dhe Mirela Mata, udhëheqëse e Misionit strategjik dhe operacional të AFD-së për Shqipëri dhe Kosovë.

Ambasadorja Butel dhe përfaqësuesit e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) theksuan se do të vazhdojnë të përkrahë përgatitjet për integrimin e Kosovës në BE, si dhe për procesin e ri të dialogut Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesit e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) prezantuan misionet dhe punën e këtij institucioni, i cili së fundmi ka filluar të operojë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Bashkëbiseduesit përfunduan se programi qeveritar dhe prioritetet e AFD-së kanë shumë pika të përbashkëta, gjë që krijon mundësi të mëdha bashkëpunimi mes të dy palëve në të ardhmen e afërt.

Ndryshe, AFD ka për qëllim përkrahjen e Ballkanit Perëndimor në integrimin rajonal dhe në BE, rritjen ekonomike, si dhe fuqizimin e shoqërisë përmes zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo agjenci ka për synim investimin deri në 400 milionë euro në rajon deri në fund të këtij viti.