Bislimi tha se marrëveshja për targat nuk e rrezikon reciprocitetin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi sonte ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar për targa sot në Bruksel nuk e rrezikon asnjëherë reciprocitetin.
Bislimi ka bërë të ditur në Ktv se nesër nga Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë takime virtuale me zyrën e Miroslav Lajçak për reciprocitetin dhe do të diskutohen detaje të operacionalizimit.
Ai ka deklaruar se çdo targë që nxirret në Serbi, do të trajtohet si targë e Serbisë.
Ndër të tjera, Bislimi ka potencuar se deskalimi i situatës në Veri të ndodhë të shtunën në ora 08:00, me zhvendosjen e barrikadave.
Ndryshe, në Bruksel sot është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targa, pas dy ditësh negociata. Në marrëveshjen e arritur është vendosur që më 2 tetor njësia Speciale e vendosur në Jarinjë e Bërnjak të largohet njëkohësisht me bllokadat në rrugë.
KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.
Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë./21Media

Back to top button