Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) sonte ka informuar se të gjithë bashkatdhetarët, të cilët kanë paguar primën e sigurimit për polica gjatë hyrjes në territorin e Kosovës, mund të shkojnë në zyrën qendrore të kësaj byroje për kthimin e mjeteve financiare.

“Sot përmes mediave jemi informuar se gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, disa nga ju keni paguar primin e sigurimit kufitar për të cilin, përmes Marrëveshjes së Bashkëpunimit të datës 30.07.2020 Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar se do të mbulojë koston e këtyre policave të lëshuara deri me datë 31.12.2020. Për shkak të kohës së shkurtë që kemi pasur në dispozicion për përshtatjet teknike dhe adaptimit të zbatimit të kësaj marrëveshje, problemet teknike si kjo janë shfaqur vetëm tani dhe kjo veçse është trajtuar dhe rregulluar.”, ka informuar BKS përmes facebook-ut.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri sonte ka vizituar pikën kufitare në Morinë për të pritur diasporën shqiptare dhe ka njoftuar bashkudhëtarët se janë të liruar nga pagesat e policave të sigurimit, pasi Qeveria ka vendosur për një gjë të tillë më herët, e cila do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor të këtij viti.

“Me këtë rast, sqarova edhe një herë se vendimi i Qeverisë i liron të gjithë bashkatdhetarët nga pagesa e policave të sigurimit. Gjithashtu, u informova nga mërgimtarët se pritjet në pikën kufitare janë minimale”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ndryshe, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se nga 1 gushti 2020, e deri në fund të këtij viti, Qeveria e Kosovës do të mbulojë koston e plotë të primit të policës së sigurimit për veturat e bashkatdhetarëve.