Fushata për president fillon me 1 prill, zgjedhjet mbahen me 21 prill

Fushata për president fillon me 1 prill, zgjedhjet mbahen me 21 prill

Profesori Universitar Blerim Reka, ka shpallur të mbyllur procedurën e grumbullimit të nënshkrimeve për president të Maqedonisë pasi është arritur numri i nevojshëm i nënshkrimeve, për të qenë kandidat i pavarur për president. Reka sqaroi se ku dallon nga kundër-kandidatët.

“Në krahasim me kandidaturën e z. Pendarovskit i cili thotë e ka moton shoqëri për të gjithë. Unë dalloj prej tij se shteti është për të gjithë. Nuk mjafton shoqëri për të gjithë që qytetarët të jenë të barabartë. RMV është e të gjithëve. Maqedonia e Veriut, është shoqëri multietnike për nga demografia por fatkeqësisht as në vitin 2019 nuk është shtet multietnik nga forma. Sa i takon kandidaturës së profesoreshës Siljanovska, dalloj nga poentat që ajo i potencon në fushatën e saj, se ajo është kundër marrëveshjes së Ohrit dhe Prespën. Unë përkundrazi dhe them se marrëveshja e Prespës është zgjedhje win-win”, u shpreh Blerim Reka Kandidat për President.

Mbështetje dhanë edhe dy partitë politike opozitare Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.

“Kandidatura e profesorit, ka simbolikën e një kandidature pas së cilës duhet të rreshtohen të gjithë subjektet politike, siç u reshtua edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, sepse është lehtësim i idesë dhe simbolikës më e përkryer e asaj që shpërdoret në mënyrë manipulative nga ana e oponentëve politik’’, theksoi Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela.

“Me përkrahjen e kandidaturës së profesorit Reka, ne duam të japim mesazh, duam president, duam presidencë dhe jo një militant partiak, jo babë për një pjesë të qytetarëve dhe diçka tjetër për pjesën tjetër të qytetarëve. Duam president të barabartë”, deklaroi Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami.

Fushata për president fillon me 1 prill, zgjedhjet mbahen me 21 prill të rrethit të parë kurse rrethi i dytë më 5 maj. Deri tani në KSHZ janë zyrtare vetëm tre kandidatura kurse ndërkohë që afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave është 9 marsi./21Media