Bllokohen mijëra lëndë përmbarimore për pagesa nga Ministria e Financave

Mijëra lëndë për pagesa sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore të bizneseve presin me muaj të tërë të ekzekutohen nga Ministria e Financave, përkatësisht nga Thesari.

Vonesat e ekzekutimit të mjeteve financiare për kreditorët po konsiderohet shqetësuese nga përmbaruesit privat dhe bizneset.

Ministria e Financave, e drejtuar nga Hekuran Murati, mësohet se ka probleme me sigurim të fondeve për të kryer pagesat ndaj kompanive ndaj të cilave shteti ka obligime.

KosovaPress, nga burime të saj, kupton se lëndët të cilat shkojnë në Thesar nga përmbaruesit vonojnë deri në 60 ditë për t’u ekzekutuar.

Ky burim i ka thënë KosovaPress se lëndët shkojnë me radhë sipas datës së pranimit, por ka probleme me sigurimin e fondeve.

Po ashtu, një çështje tjetër që vonon kryerjen e obligimeve të shtetit është edhe mungesa e zyrtarëve ligjorë.

KosovaPress ka mësuar se Thesari ka vetëm dy zyrtarë ligjorë ndërsa është një numër madh i lëndëve përmbarimore.

Edhe procedimi i tyre me vonesë po shkakton pastaj vonesa në pagesat e kompanive.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat në Kosovë, Arben Gashi ka thënë për Kosovapress se mos ekzekutimi i urdhrit të përmbaruesit përbën shkelje ligjore nga Ministria e Financave, në këtë rast nga Thesari. Sipas Gashit, ligjërisht Thesari do të duhej të ekzekuton mjetet financiare brenda 24 orëve.

Mirëpo, nga kjo ministri nuk janë përgjigjur për Kosovapress sa i përket bllokimit të ekzekutimit të mjeteve financiare për kreditorët.

Kreu i Odës së përmbaruesve, Gashi ka theksuar se vonesat e ekzekutimit të lëndëve në Thesar janë shqetësuese, dhe sipas tij, kreditorët ligjërisht kanë të drejtë të kërkojnë kamatën prej 8 për qind për këto vonesa.

“Vonesat që po ndodhin në Thesar janë shqetësuese për ne si përmbarues, po besoj se do të duhej të ishte shqetësuese edhe për vetë Departamentin e Thesarit, por edhe për vetë Qeverinë. Sepse, nëse përmbaruesi e ka dërguar një lëndë në Thesar dhe zyrtarët e saj nuk vërejnë që ka ndonjë gabim ose lëshim, atëherë lënda duhet me u ekzekutua, sepse aplikohet kamata. Shteti ynë një pjesë të mjeteve financiare po e humbë për shkak të kamatave të panevojshme. Nëse vërehet se ka ndonjë gabim në shkelje duhet me u ndal dhe me kontaktuar përmbaruesin për me sqarua situatën. Por, nëse shihet se është gjithçka e hapur dhe e pastër, mos të ndalet ekzekutimi, sepse pala sipas vendimeve gjyqësore ose ligjeve në fuqi, ka të drejtë me kërkuar kamatë. Pastaj kreditorët kërkojnë kamatën plotësuese për periudhën që është vonuar lënda në Thesar, që ndonjëherë ka vonesa më muaj të tërë. Për krejt këto lëndë ka vonesa, të gjithë përkthehen në humbje financiare edhe për shtetin”, thotë Gashi.

Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Gashi thekson se numri i lëndëve përmbarimore që presin të ekzekutohen nga Thesari është i madh. Ai thotë se sipas dispozitat ligjore, mos ekzekutimi i urdhrit të përmbaruesit përbën shkelje ligjore nga Thesari.

“Ka lëndë shumë në Thesar, por numrin e saktë nuk e di, sepse të gjithë përmbaruesit i dërgojnë lëndët përmes zyrave të tyre, jo përmes odës. Mirëpo, numrin e saktë e di Thesari. Jemi në dijeni që ka lëndë që presin të ekzekutohen… Teknikisht nëse interpretohen dispozitat ligjore, mos ekzekutimi i urdhrit të përmbaruesit përbën shkelje ligjore, jo vetëm nga Thesari, por edhe nga bankat komerciale dhe subjektet tjera… Brenda 24 orëve do të duhej të ekzekutohen lëndët ose brenda shtatë dite do të duhej me u kryer kjo punë”, thotë ai.

Gashi thotë po ashtu se për vonesat e ekzekutimit të lëndëve nga Thesari, bizneset kanë humbur durimin.

“Nuk po gjobitim Thesarin, prandaj i kam lutur kolegët mos u ngutuni, keni durim, mirëpo kreditorët kanë nuk kanë durim. Kreditorët kërkojnë parat e tyre. Bizneset kanë fituar kontestin dhe neve nuk na intereson se a ka Thesari zyrtarë të mjaftueshëm dhe si funksionon brenda. Neve na intereson t’i marrim paratë tona. Dhe do të duhej me u ndal me menduar pse po ndodhin këto vonesa. Dhe a ka mundësi me përshpejtuar, në mënyrë që mos të ketë kamata shtesë”, thekson ai.

Kompanitë të cilat kanë vendimet përmbarimore nga gjykatat në Thesar ankohen se po dëmtohen nga Thesari në këtë rast nga Ministria e Financave.

Parapa kamerave disa prej biznesmenëve kanë theksuar se derisa vetë këto institucione që kërkojnë nga kompanitë private t’i përmbushin obligimet ndaj ATK-së në afatet kohore, Ministria e Financave shkelë ligjet në fuqi për ekzekutimin e lëndëve përmbarimore.

Bizneset që janë palë me këto vendime, ankohen po ashtu se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po përdorë standarde të dyfishta, pasi që një biznes nëse nuk kryen obligimet tatimore në ATK në afatet e parapara, ndëshkohet edhe me bllokim të llogarive bankare.

Për veç kësaj, sfidë tjetër për kreditorët, mbetet edhe vonimi i shqyrtimit të lëndëve përmbarimore në Gjykata.

Back to top button