Bojkoti i seancës për zgjedhjen e presidentit, si duhet të veprojnë deputetët e opozitës pas vendimit të Kushtetueses?

Konsensusi politik për zgjedhjen e presidentit po konsiderohet domosdoshmëri pas hedhjes poshtë të kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga Gjykata Kushtetuese, të cilët pretenduan se deputetët opozitarë shkelën kushtetutën me rastin e mos pjesëmarrjes në seancën e 5 marsit për zgjedhjen e presidentit, raporton kp.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e saj më 30 mars deklaroi se çështja e ngritur nga deputetët e partisë së Albin Kurtit përbën çështje të gjykuar dhe si e tillë hyn në kategorinë e kërkesave që përfaqësojnë një kërkesë të mëparshme të shqyrtuar dhe të vendosur nga Gjykata.

 

 

Mirëpo, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim meritor sa i përket thelbit së kërkesës së tyre.

Sipas tij, Kushtetuesja duhet të sqaronte nëse bojkotimi i seancës për zgjedhjen e presidentit nga deputetët e opozitës është kushtetues apo jo.

Megjithatë, ai thotë se pas këtij vendimi të kushtetueses duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi për zgjedhjen e presidentit.

 

 

“Natyrisht nuk përjashtohet mundësia që të kemi kompromis me partitë opozitare, mirëpo më vjen keq, por Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim meritor sa i përket thelbit së kërkesës sonë që ishte adresuar aty. Kjo kishte të bënte me çështjen e prezencës së deputetëve, jo që ishte keqpërdorur bojkot si instrument i pamundësimit të funksionimit të institucioneve tona. Në këtë rast mos pjesëmarrja e deputetëve shpeshherë ka shkaktuar situata të krizave politike që kanë ndikuar në funksionimin e mirëfilltë të institucioneve tona. Prandaj kërkesa jonë nuk mori përgjigje nga gjykata se a lejohen deputetët të bojkotojnë seanca kaq të rëndësishme. Nuk morëm përgjigje nga kjo me idenë që gjykata i është përgjigjur çështjeve të tilla në vendime të kaluara, ndonëse nuk e kemi të qartë se për çka është fjala”, thotë Abrashi.

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese, derisa thotë për KosovaPress se zgjedhurit e popullit nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë diktati.

Ajo nënvizon se zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet pa konsensus. Sipas saj, çdo përpjekje për ta imponuar një kandidat pa dakordim të gjerë është e destinuar të dështojë dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

 

 

“Ne kemi pasur shqetësimin se nëse Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar që duhet të gjithë deputetët të qëndrojnë në sallë, ne do të hynim në një krizë institucionale… Ne jemi deputetë të zgjedhur nga vota e popullit dhe në asnjë formë nuk i nënshtrohemi asnjë diktati. Me automatizëm duhet konsensus. Pa konsensus, nëse sjellët cilindo emër, unë mendoj se nuk do të kemi arritje dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, thekson Kadrijaj.

Edhe njohësi i Kushtetutës, profesori, Mazllum Baraliu, vlerëson se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, e cila, sipas tij, duhet të tregojë fleksibilitet dhe të ofrojë një kandidat të pranueshëm për opozitën. Ai paralajmëroi se dështimi për të arritur kompromis mund të ketë pasoja serioze për vendin.

Sipas Baraliut, shkuarja në zgjedhje të reja nuk do të sillte zgjidhje, por vetëm do të thellonte krizën politike dhe do të prodhonte situata të ngjashme me ato të mëparshme.

“Pozita, fituesi i zgjedhjeve, do të duhej definitivisht të jetë shumë më fleksibël dhe të ofrojë diçka që nënkupton ofertë të pranueshme për kandidat për president për opozitën, pavarësisht për PDK-në, në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje. Do të ishte jo vetëm e dëmshme, por katastrofike dhe fatale për vendin që të shkohet edhe në një plan zgjedhje. Fatkeqësisht, nuk mund të sillet një rezultat tjetër, por një problematikë të ngjashme që nuk ka zgjidhje dhe mund të ketë kriza që kemi pasur vitin e kaluar”, deklaron Baraliu.

Partitë politike në Kuvend kanë mundësi deri më 28 prill 2026 të zgjedhin presidentin, në të kundërt vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Kjo pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit për ta zgjedhur presidentin deri më 5 mars.

Back to top button