Bora e paralizoi komunikacionin në Austri

Për disa orë ishte ndërprerë lëvizja edhe në një pjesë të rrugës ndërmjet Sankt Poltenit dhe Vjenës

Reshje të rrëmbyeshme të borës i kapluan mbrëmë rajonet qendrore të Austrisë, me ç’rast u paralizua qarkullimi i automjeteve nëpër autostradat kryesore, lajmëruan mediumet austriake.

Qindra vozitës u ngujuan në turmën e komunikacionit, kryesisht në krahinën Austria e Ulët. Një numër i madh i pronarëve të automjeteve, për shkak të motit të ngrohtë dhe temperaturave verore në mars, shpejtuan t’i ndërrojnë gomat e dimrit me ato të verës dhe tani u bënë pengje të stuhisë së borës.

Për disa orë ishte ndërprerë lëvizja edhe në një pjesë të rrugës ndërmjet Sankt Poltenit dhe Vjenës.

Në një nga shkollat në qytetin Aland ndihma e shpejtë organizon qendër të përkohshme për fjetje të vozitësve të mjeteve motorizuese të transportit.

Moti i lig kaploi edhe krahinat Shtajer dhe Burgenland, ndërsa në Vjenë ra borë e përzier me shi, e cila deri tani nuk shkaktoi probleme në komunikacion.

Meteorologët paralajmërojnë se nuk pritet përmirësim i situatës në një kohë të afërt. Nga fundi i javës në Austrinë e Ulët dhe Shtajer temperaturat mund të binë edhe nën zero.

Një lexuesi i yni  nga Sankt Polteni ka dërguar disa foto  dhe video nga kopshti i tij ku shihet se bora e ka mbuluar këtë vend./21Media

 

 

Back to top button