Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.

Komentet ai i bëri para fillimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.

Borrell theksoi se i vjen mirë që BE-ja e ka rikthyer rolin udhëheqës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, do të vazhdojë sot (16 korrik) pas më shumë se dy vjetësh, në Bruksel me takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mbahet në selinë e Bashkimit Evropian me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në fakt, dialogu virtualisht rifilloi më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i sotëm paraqet bisedimet e para të drejtpërdrejta pas 20 muajsh.

Ky, gjithashtu, është takimi i parë në të cilin nuk do të marrë pjesë ish-bashkëbiseduesi kryesor i Brukselit nga Prishtina – presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. /REL