Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, është deklaruar para nisjes së videokonferencës. Borrell ka thënë që është është i lumtur për rinisjen e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit përmes video-konferencës, ndonëse në këso kushte të pandemisë.

“Qëllimi ynë është i qartë, është të rinisim punën intensive në normalizimin e raporteve mes dy shteteve. BE-ja ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë lehtësues i përpjekjeve për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Marrëveshja është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, po ashtu është edhe për vet Bashkimin Evropian”, ka thënë Borrell.

Borrell u shpreh se s’është proces i lehtë, mirëpo kërkon angazhimin e të dyjave palëve.

“E dimë që nuk është proces i lehtë, por është urgjencë që të punojmë për stabilitet për hir të së ardhmes. Kërkojmë kurajën politike të të dy palëve, angazhim në frymën e pragmatizmit dhe kompromisit. Kurrë s’ka qenë e lehtë të gjendet zgjidhje, por kjo është pse jemi këtu, që të provojmë përsëri”, deklaroi ai.

Nga shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është njoftuar se Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel, dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak, së pari do të kenë biseda me njërën palë, pastaj me tjetrën për të mbajtur në fund një konferencë të përbashkët të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./21Media