Borrell: S’ka të ardhme evropiane nëse mbahen kontakte me Putinin

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë, pas një takimi në Bruksel, ku morën pjesë edhe kryediplomatët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Për mua është e qartë, si përfaqësues i lartë dhe për kolegët e mi, se të mbash lidhje të ngushta me regjimin e [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit nuk është më në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE. Këto të dy gjëra më nuk shkojnë në të njëjtën kohë”, tha Borrell.
Borrell, pas takimit në Bruksel, tha se neutraliteti sot karshi pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, është “koncept i gabuar”.
“Të jesh neutral sot në lidhje me luftën në Ukrainë është një koncept i gabuar. Një shtet pushtoi një shtet tjetër dhe vendosja e tyre në një thes nuk bën dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit”, tha Borrell.
Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka ndjekur politikën e BE-së për të sanksionuar Rusinë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt./rel

Back to top button