Boston( SHBA): Në Universitetin e Harvardit u promovua “Kosova” e J.Buxhovit

Libri shqip mbrëmë ka bërë edhe një hap të rëndësishëm drejt lexuesit e studentit amerikan dhe atij shqiptar që studion në këtë Universitet me renome botërore!
Në ambientet e Bibliotekës të Universitetit të njohur amerikan HARVARD, u promovua libri në tri vëllime “KOSOVA”, i historianit të njohur Jusuf Buxhovi. Librin tre vëllimesh e kanë përkthyer Avni Spahiu,Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi, i cili njëherë ishte dikur edhe student i dalluar i këtij Universiteti.
z.Bislimi për këtë ngjarje të rëndësishme jo vetëm kulturore por edhe kombëtare, ka njohtuar publikun edhe në faqen e vet të FCB.

POSTIMI I PLOTË I Z.BISLIMI NË FCB
“Mbrëmë, në Harvard Faculty Club, në Library Room, në praninë një numrit të madh pjesëmarrësish (edhepse në kushte pandemie) u promovua zyrtarisht libri historiografik, në tri volume, “Kosova” nga autori e historiani i shquar Jusuf Buxhovi.
Në cilësinë time si ish-student Harvardi e tani edhe si përfaqësues i Harvard Alumni Association për Kosovë bashkë edhe me Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në Harvard, si nikoqir të kësaj ngjarje historike, isha jashtëzakonisht i nderuar e krenar me përgjigjen pozitive të shumë studentëve e pjesëtarëve të komunitetit tonë që na u bashkangjitën në promovim.
Pas një fjale përshëndetëse nga botuesi Ramiz Tafilaj (Jalifat Publishing) e Milaim Abdullahu (Santefarm), pa ndihmën e të cilëve kjo ngjarje s’do të realizohej, në adresimin e tij para audiencës Buxhovi shpalosi pikat më kryesore të librit të tij, tezat historike që ngriten e shjellohen aty, dhe të cilat shpartallojnë në gjenezë gënjeshtrën më madhore anti-shqiptare të sllavëve.
Pas gjitha aktiviteteve në këto dy ditë, ndjehem më shumë se krenar që bashkë me këta miq të mirë arritem ta fusim historinë tonë e mirëfilltë e faktike të kombit tonë në majën e botës akademike, në Universitetin e Harvardit, themeluar më 1638.
Në këtë kohë kur po thyhen shumë shtiza në gjeopolitikë globale, të flasësh për Kosovën e për kombin shqiptar në kupolen e intelektualizmit akademik në SHBA është vlerë e shtuar për Republikën tonë të re.
Një falëmnderim i veçantë për Shoqatën ‘Kosova’ në Boston, bashkë me Gred Brahon (Asociacioni i Studentëve Shqiptarë në Harvard), si dhe pronarin e Restaurantit ALBA në Quincy, MA, për përkrahjen e mikpritjen”. /E.D.-21Media

Back to top button