Brazili ka kapërcyer Spanjën dhe Italinë duke u bërë vendi i katërt në botë me numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus.

Zyrtarët raportuan të shtunën 14.919 raste të reja në 24 orët e kaluara, duke e cuar në  233.1142 numrin e përgjithshëm. Vetëm SH.B.A., Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë numër më të lartë.

Numri ditor i vdekjeve në këtë vend të Amerikës Latine u rrit me 816 në 15.633

Ekspertët paralajmërojnë se shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë për shkak të mungesës së testimit.

Kryetari i qytetit më të populluar të vendit, São Paulo, paralajmëroi të dielën se sistemi shëndetësor i qytetit mund të kalojë në kolaps. Bruno Covas tha se spitalet publike në qytet arritën kapacitetin 90% për shtretër urgjence, me kërkesë ende në rritje, përcjell portali rtv21.tv

Covas tha se ai ishte në bisedime me kreun e  shtetit për t’i kërkuar një bllokim të rreptë në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen.

Ekspertët e shëndetit në Brazil kanë paralajmëruar se numri i vërtetë i infeksioneve të konfirmuara në vend mund të jetë shumë më i lartë se të dhënat zyrtare, për shkak të mungesës së testimeve.

“Brazili po teston vetëm njerëzit që përfundojnë në spital”, tha Domingo Alves nga Fakulteti i Mjekësisë i  Universitetit të São Paulo javën e kaluar për agjencinë e lajmeve AFP.

“Është e vështirë të dihet se çfarë po ndodh në të vërtetë bazuar në të dhënat e disponueshme. Ne nuk kemi një politikë të vërtetë për të menaxhuar shpërthimin,” tha ai.

Alves është një nga autorët e një studimi që vlerësoi se numri i vërtetë i infeksioneve ishte 15 herë më i lartë se shifra zyrtare.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro është kritikuar ashpër si brenda dhe jashtë vendit për trajtimin e krizës me koronavirus.

Bolsonaro vazhdon të kundërshtojë masat e bllokimit. Ai e ka minimizuar virusin si ” grip” dhe ka thënë se përhapja e Covid-19 është e pashmangshme./21Media