Libanezja synon të thyej rekordin botëror

Libanezja synon të thyej rekordin botëror

Ndërkohë që vende të ndryshme rreth botës vazhdojnë të hapin sezonin festiv të festave të fundvitit, një bredh mjaft i veçantë u ndërtua në qytetin bregdetar libanez, Chekka.

E veçanta e këtij bredhi është se ai u ndërtua i tëri me shishe plastike, shkruan rtv21.tv

Gjatësia e tij arrin në 29 metra, ndërsa numri i shisheve plastike të ujit me të cilat u ndërtua arrin në 130 mijë.

Në ndërtimin e këtij bredhi me shishe plastike morën pjesë një numër i madh vendasish. Megjithatë pas këtij projekti qëndron një person, ajo është libanezja Caroline Chabtini.

Ndërtimi i këtij bredhi mori kohë 20 ditë. E Caroline madje bëri një foto pranë tij.

Ajo në një deklaratë për media ka cekur diçka me rëndësi për këtë bredh. Caroline ka treguar se mediat sociale ishin ato që ndihmuan më së shumti në realizimin e këtij projekti, pasi shishet u mblodhën me ndihmë të tyre, përmes komunikimeve me njerëz, proces që zgjati hiq më pak se tetë muaj.

E diçka tjetër që e bën këtë projekt akoma më interesant është se ideatorja atë e realizoi me një qëllim, që të tërheq vëmendjen e botës për pastrimin e ambientit nga mbeturinat e plastikës.

Caroline tani me këtë projekt ka edhe një qëllim, që t’i konfirmohet rekordi botëror për ndërtimin e bredhit me më së shumti shishe plastike në botë.

Rekordin e deritanishëm në këtë kategori e mbajti Meksika, me ndërtimin e bredhit me 98 mijë shishe plastike, rekord ky të cilin e arriti në vitin 2018.

Caroline në deklaratë po ashtu ka treguar se ky bredh do të qëndrojë në ekspozitë në qytetin Chekka të Libanit një muaj e gjysmë, e më pas shishet do të dorëzohen në një fabrikë riciklimi në veri të Libanit./21Media