Brenda dy ditësh, katër dorëheqje nga LVV në Lipjan

Lëvizja Vetëvendosje më 1 shtator hapi fushatën zgjedhore për nivelin e tretë organizativ.
Por, procesi zgjedhor në LVV i ka paraprirë katër dorëheqjeve në degën në Lipjan.
Shkëlzen Bislimi, Fitim Sopjani, Fadil Spahiu e Fitim Meziu kanë dhënë dorëheqje brenda dy ditësh nga kjo parti.
Përmes Facebookut, ata bënë të ditur edhe arsyet që çuan në dorëheqjen nga LVV.
Me keqardhje më duhet t’ju njoftoj se kam vendosur të jap dorëheqje të pakthyeshme nga pozita e anëtarit të Grupit Punues në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, si dhe nga të gjitha aktivitetet brenda kësaj organizate. Vulën e padrejtësive brenda Lëvizjes Vetëvendosje e dhanë sot duke ma ndaluar kandidaturën për Kryetar të Qendrës”, shkroi Bislimi në Facebook./21Media

“Pas zhvillimeve të fundit brenda procesit zgjedhor të LVV-së, kam kuptuar që Demokracia e shfaqur në publik, nuk paska qenë brenda strukturave, në momentin kur i rrezikohet pozita një individi ose grupacioni. Unë e kuptova aty por, do ta kuptojnë edhe të gjithë ata që do të përballen me këso lloj situatash”, shkroi Sopjani.

“Pas një rrugëtimi të gjatë si aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, jap dorëheqje në shenjë zhgënjimi dhe mospajtimi me zhvillimet e kohëve të fundit në Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Lipjan. Kohëve të fundit jemi përballur me situata aspak demokratike dhe denigruese të udhëheqjes së qendrës sonë, veçanërisht të procesit të zgjedhjeve të brendshme, ku drejtuesi i Grupit Punues duke e keqpërdorur pozitën emëruese nga niveli i tretë organizativ, e favorizon një grup të ngushtë të individëve dhe duke i linçuar dhe distancuar aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e tjerë”, shkroi Spahiu.

“Kur qëllimi për të cilin je i angazhuar nuk është qëllim për të gjithë aty ske ardhmëri. Shëndeti dhe mirëqenia janë fusha për të cilat do të angazhohem si Asambleist i Pavarur nga votat e jauaja qytetar të nderuar. Në zgjedhjet lokale ju bashkova ekipit të Lëvizjes Vetëvendosje duke besuar e shpresuar në një organizim të mirëfillt brenda saj. Nga ato zgjedhje unë dola si kandidati më i votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal. Me kalimin e kohës unë pashë padrejtësi të mëdha që u bëheshin aktivistëve me shume kontribut. Pashë e ndëgjova shumë gjëra që nuk do të besoja qe ekzistonin brenda këtij subjekti në Lipjan. Nuk isha i pajtimit që brenda këtij subjekti vinin figura politike që kanë luajtur me dy karta”, shkroi Meziu./21Media

Back to top button