Është bërë sot dorëzimi i reagentëve në Laboratorin e Mikrobiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Dorëzimi i tyre u bë para fillimit të punës së këtij laboratori, i cili pritet të funksionalizohet brenda dy javëve të ardhshme.

Ky Laborator i Mikrobiologjisë në QKUK, është financuar me mbi tre milionë euro nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor, në kuadër të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor në Kosovë”.

Në ceremoninë e dorëzimit të reagentëve në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QKUK, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj tha se populli italian me taksat e tyre po ndihmojnë popullin e Kosovës dhe po mundësojnë avancimin e shërbimeve shëndetësore.

“Pamë për së afërmi punën, aktivitetin, mbi të gjitha përkushtimin për t’iu dal në ndihmë pacientëve të cilët vijnë për nevoja të trajtimit të tyre qoftë në Klinikën Infektive apo edhe në Klinikat e tjera në QKUK. Dinamika e përshpejtimit të hapave drejtë funksionalizimit të plotë do të jetë aktive në këto dy javë, zotimi edhe i profesionistëve shëndetësor për të kompletuar këtë fazë e cila tash veç ka mbetur në funksion e sipër është dëshmi e bashkëpunimit, mirëkuptimit, po edhe përkrahjes të shumëfishtë nga Italia dhe ambasadori i cili është shumë aktiv në luftimin dhe përballjen tonë në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19. Ky aspekt mendoj që duhet të jetë rritje e përgjegjësisë për të gjithë neve, për qytetarët e Kosovës, për profesionistët shëndetësor që bashkërisht në këtë frontin e përbashkët të avancojmë në luftimin e pandemisë”, tha ai.

Nga aty ministri Zemaj bëri thirrje që edhe më tej të vazhdohet me respektimin e masave për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

“Le të jetë mesazh kjo ndihmë e miqve dhe partnerëve tanë që ne duhet të vazhdojmë me kujdesin, duhet të vazhdojmë me rritjen e kujdesit në këto ditë të heqjes së kufizimeve të lirisë së lëvizjes dhe masat të cilat i kemi liruar. Nuk duhet të kalojmë në nivel tjetër të mos disiplinës dhe ta rëndojmë punën e profesionistëve shëndetësor dhe ju e dini se me çka janë përballur sidomos në dy muajt e verës. Andaj lutja t’i majmë dhe t’i respektojmë masat e ndërmarra”, tha ai.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando tha se projekti për Laboratorin e Mikrobiologjisë në QKUK ka filluar para 7 vitesh derisa theksoi se tashmë ai i ka të gjitha kapacitetet që të ndihmojnë edhe në analizat e testeve serologjike.

“Ky laborator është pjesë e projektit të përbashkët që e kemi financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor, një projekt që ka filluar që 7 vite më parë dhe është një ndër pjesët më të mira të këtij projekti që është bërë nga bashkëpunimi italian. Në të njëjtën kohë, siç e dini është edhe një ekip mjekësor italian që është duke qëndruar këtu për të ndihmuar në menaxhimin e pandemisë. Siç jemi duke e parë këto ditë në Evropë, përkundër Italia është në një situatë më të mirë, mirëpo jemi duke e parë në Evropë që kriza nuk ka kaluar, përkundrazi numrat vetëm po rriten dhe po shfaqet ajo vala e dytë për të cilën ishte fol më herët. Institucionet kosovare deri më tani e kanë menaxhuar shumë mirë pandeminë dhe tani janë duke u përgatitur me qetësi për këtë fazën e dytë që do të vije. Siç e tha edhe ministri laboratori është i gatshëm dhe i ka kapacitetet që të ndihmojë edhe për analizat e testeve serologjike”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi u shpreh se për fillimin e punës së laboratorit të Mikrobiologjisë në QKUK, kanë mbetur edhe zgjedhja e çështjes së statutit juridik dhe plotësimit me laborantë, ku për këtë të fundit tha se pritet të brenda 10 ditëve të gjendet zgjidhje.

Pas kësaj, ai tha se planifikojnë që brenda dy javë të fillojë punën Laboratori i Mikrobiologjisë në QKUK, i cili gjendet në Klinikën Infektive.

“Inspektimin e aktiviteteve që janë duke u bërë për fillimin e punës së Laboratorit të Mikrobiologjisë klinike për nevoja të QKUK-së. Nga afër panë aparaturën, është projekt që është financuar në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe mbështetjes së projekteve nga ana e Qeverisë së Italisë me Qeverinë e Kosovës, ku donatorët ka financuar në tërësi projektin e pajisjes me inventar dhe pajisje të tjera mjekësore për këtë laborator dhe tash së fundi me furnizim me reagjent për të filluar punën në këtë laborator. Pajisjet janë të nivelit më të lartë kualitativ dhe janë të tilla që në momentin kur nevojitet certifikimi i tyre atëherë nuk do të ketë nevojë për investime të tjera shtesë…Kanë mbetur edhe tri çështje pa u zgjidhur për fillimin e punës, statuti juridik i Laboratorit të Mikrobiologjisë, plotësimi me laborantë që pritet të bëhet brenda 10 ditëve të fundit. Kështu që, brenda dy jave ne planifikojmë të fillojmë punën në Laboratorin e Mikrobiologjisë”, tha ai.

Krasniqi falënderoi Qeverinë Italiane edhe për ndihëm që është duke i dhënë QKUK-së, përmes ekipit mjekësor italian që është duke qëndruar në Kosovë.