Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa gjatë vizitës së bujqve në komunën e Ferizajt, deklaroi se brenda javëve do të ndodhin dy pagesat për subvencionimin e bujqve.

Ministri Mustafa gjatë vizitës që bëri një fermeri, tha se Këtë javë kanë filluar me pagesat për subvencione, ku janë realizuar mbi 13 milionë euro.

“Do të realizojmë fillimisht pagesën e parë, pra janë 13 milionë euro nga programi i rregullt dhe me përfundim të kësaj, në këto javët e ardhshme, do të kthemi për ta bërë pagesën e dytë. Kjo pagesa e parë merr pak më shumë kohë sepse duhet bërë edhe kontrolli në terren për të parë nëse gjitha aplikacionet përkojnë edhe me gjendjen në terren dhe në momentin e pagesës së parë, pastaj brenda është çështje ditësh realizimi i pagesës së dytë, pra po flasim për një afat brenda javësh”, tha ai.

Mustafa shtoi se me disa shtete në rajon, vendi jonë po jep tri herë më shumë subvencione.

“Më gëzon fakti dhe mund ta them publikisht që niveli i subvencionimit në vendin tonë është i krahasueshëm me nivelin e shteteve në regjion dhe me disa shtete në regjion kemi edhe tre fish më shumë subvencione të rregullta në krahasim me disa shtete në regjion dhe me këtë dyfishim të bëhet 6 fish më shumë për bujqësinë kosovare“, tha ai.

Kurse, Agron Demiri falënderoi Ministrinë e Bujqësisë që çdoherë i ka përkrahur, duke thënë se po presin pagesat për këtë vit.

“Falënderojmë që së pari na ka dyfishu këto subvencione, tash presim me i marrë, ende në procedurë është”, tha ai.

Kurse, kryetari i Ferizajt, Agim Aligu tha se bujqit janë storie e suksesi në këtë komunë.

“Komuna e Ferizajt ka ndarë buxhet të vazhduar dhe ngritje të vazhdueshme për të mbështetur sektorin e bujqësisë në të gjitha fushat, dhe kemi bërë një ngritje që tashmë jemi mbi 1 milion e 300 mijë euro që ne jemi duke i mbështetur fermerët”, tha ai, duke shtuar se një vëmendje e veçantë ka qenë në trajtimin e kafshëve në mënyrë që kjo komunë të ketë kafshë të shëndosha./kp