Britania e Madhe prezantoi masat e reja kundër koronavirusit, që përfshin izolimin katër javor.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johson tha të shtunën se masat e reja, që përfshijnë izolimin prej katër javësh, do të hyjë në fuqi nga e enjtja e javës së ardhshme dhe do të jenë në fuqi deri më 2 dhjetor.

Dyqanet me gjëra esenciale do të jenë të hapura dhe njerëzit nuk kanë nevojë “të blejnë ushqime rezervë”, porositi Johnson dhe shtoi se njerëzit që nuk mund të punojnë nga shtëpitë e tyre, mund të vazhdojnë punën nga zyrat.

Sipas Johnson, qytetarët do të mund të dalin nga shtëpitë e tyre për kujdes shëndetësor, për furnizime me ushqime, për ushtrime në natyrë.

Ai tha se sektori i gastronomisë do të mbyllet, por shërbimi “take away” apo “merre me vete” do të funksionojnë.

Për dallim nga mbyllja e parë në paraverë, institucionet arsimore, gjatë kësaj periudhe, do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura.

“Ne nuk mund të lejojmë që virusi të dëmtojë të ardhmen e fëmijëve tanë më shumë sesa i ka shkaktuar dëme tashmë”, tha ai, raporton vizionplus.

Numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në Mbretëri të Bashkuar ka kaluar shifrën prej 1 milion. Vetëm gjatë shtatë ditëve të fundit, ky shtet ka regjistruar mesatarisht 23,000 raste të reja me koronavirus.