Britania sanksionon pesë rusë pas dënimit të kritikut të Kremlinit

Mbretëria e Bashkuar sanksionoi pesë rusë pas dënimit me 25 vjet burg të veprimtarit opozitar rus, Vladimir Kara-Murza, i cili ka edhe shtetësi britanike.

Sekretari i Jashtëm, James Cleverly, sanksionoi gjyqtaren Yelena Lenskaya, e cila miratoi arrestimin fillestar të Kara-Murzës, hetuesit Denis Kolesnikov dhe Andrei Zadachin, të cilët morën pjesë në arrestimin e tij, si dhe oficerët e Shërbimit Federal të Sigurisë, Aleksandr Samofal dhe Konstantin Kudryavtsev, të cilët e ndoqën Kara-Murzën gjatë udhëtimeve të tij, përpara se të helmohej në vitin 2015.

Pesë shtetasve rusë të sanksionuar u ndalohet hyrja në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa asetet e tyre në Britani ngrihen.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara sanksionuan gjashtë persona, përfshirë tre gjyqtarë, për rolin e tyre në paraburgimin e Kara-Murzës.

Kara-Murza u dënua në 17 prill me 25 vjet burgim për tradhti dhe vepra të tjera.

Verdikti u shqiptua më shumë se një vit pas arrestimit të tij nën akuzat për përhapje të “informacioneve të rreme” për forcat e armatosura të Rusisë.

Kara-Murza, kundërshtar i zëshëm i Qeverisë aktuale ruse, i hodhi poshtë akuzat.

Ai tha se është burgosur për pikëpamjet e tij politike, që janë kundër luftës në Ukrainë dhe kundër “diktaturës së presidentit rus, Vladimir Putin”.

Back to top button