Zhgënjim të madh për mbështetësit e opozitës, e konsideroi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit ish-presidenti Bujar Nishani.

Përmes një postiimi në Facebook, Nishani theksoi se është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë “për t’u ringritur në madhështinë që i takon”.

Ai deklaroi se Lulzim Basha duhet të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh.

“Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur. Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve! Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak. Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për t’u ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë. Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal ! Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh ! Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike. Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu. Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve. Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim ! #MakePDGreatAgain”, ka shkruar Nishani.