Zyrtarë të KMDLNj-së vizituan Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Zyrtarë të KMDLNj-së vizituan Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Hamit Ademaj, drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ka hedhur poshtë spekulimet për gjoja tentim vrasjeje për Hysri Peqanin-Burdushin.

“Ai, ka bërë kërkesë me dt.06.03.2019 për një qeli, ku do të qëndronte i vetëm.Kërkesën e tij e kemi miratura të njëjtën ditë dhe ai s’ka asnjë shqetësim shëndetësor”, bënë të ditur komunikata e KMDLNj-së të ketë thënë Ademaj.

Megjithatë, avokati i “Burdushit”, Asdren Hoxha ka thënë se klienti i tij ka tentuar të vetëvritej.

Sipas tij, tentim vetëvrasja erdhi pas padrejtësive që po i bëhen “Burdushit”.

“E konfirmoj një rast i tentimvrasjes ka ndodh në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, sepse më ka thënë drejtpërdrejt vetë klienti im, i cili e ka shprehur si revoltë ndaj padrejtësisë që po i bëhet, me caktim dhe vazhdim të paraburgimit pa asnjë arsye, procedurës për sekuestrim të pabazë të gjithë pasurisë, faktit që asnjë i dëmtuar nuk është lajmëruar vullnetarisht para arrestimit të tij por, pas arrestimit janë joshë dhe ftuar njerëz që për interesa personale të lajmërohen dhe të deklarojnë kundër tij, gjë që është e pazakontë. Dhe ai e sheh si padrejtësi, pastaj edhe vonesa në procedurë për katër muaj në paraburgim pa aktakuzë të gjitha këto e kanë shtyrë siç ka thënë klienti në një akt të tillë”, ka thënë Hoxha.

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi” ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar. Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim. Në po të njëjtin muaj ndaj “Burdushit” ishte ngritur aktakuzë. “Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit. Në seancën e 22 nëntorit të vitit të kaluar Hysri Peqani, mjeku popullor i njohur si “Burdushi” është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për veprën penale mashtrim. Në po të njëjtin vendim “Burdushit” Gjykata ia ka ndaluar ushtrimin e “profesionit” për tri vjet./21Media