Burgim i përjetshëm për sulmuesin e sinagogës në Gjermani
21 Dhjetor 2020
Një gjykatë në Gjermani dënoi me burg të përjetshëm një person, që sulmoi një sinagogë të qytetit Halle, vitin e kaluar.
Stephan Balliet, 28 vjeç, qëlloi dhe vrau një kalimtare grua dhe një burrë në një dyqan qebapësh pasi nuk arriti të hynte në sinagogë më 9 tetor 2019.
Në kohën e sulmit, 52 hebrenj ndodheshin në sinagogë, duke shënuar festën Yom Kippur.
Balliet nuk shprehu pendim për sulmin, transmeton rtv21.tv.
Gjatë gjykimit pesëmujor, ai e mohoi Holokaustin, gjë që është vepër penale në Gjermani.
“Sulmi ndaj sinagogës nuk ishte gabim; ata janë armiqtë e mi”, tha Balliet.
Ai ka pasur veshje ushtarake në ditën e sulmit dhe i ka filmuar të shtënat, duke i transmetuar edhe në internet për 35 minuta./21Media