Burimet e RTV21: LDK sot mbledh kryesinë në orën 15:00

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila u ka dhënë kohë deputetëve që brenda 34 ditësh të zgjedhin presidentin e ri, LDK-ja gjatë ditës do të mbajë mbledhjen e kryesisë për të diskutuar për hapat tutje. Sipas burimeve të RTV21 brenda LDK-së, mbledhja e kryesisë do të nisë nga ora 15:00.
LDK-ja ka thënë se respekton plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike. Kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, tha se presidenti i ri duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës.
“Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt”, shkroi Abdixhiku.
Të enjten edhe PDK-ja ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së saj, ku kanë diskutuar për hapat tutje. PDK-ja ka thënë se e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, nga ky subjekt politik kanë paralajmëruar se do të mbajnë mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë, ku do të vendosin nëse do të pranojnë të takohen me kryeministrin Kurti në tentim për arritjen e një marrëveshjeje politike për presidentin.
“PDK e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili qartëson hapat e ardhshëm institucionalë. Duke marrë parasysh situatën politike aktuale, Kryesia e PDK-së në ditët në vijim do të thërrasë mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku do të formalizohen qëndrimet dhe veprimet e saj politike. PDK do të njoftojë në ditët e ardhshme opinionin publik për datën, kohën dhe rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Drejtues’’, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Ndërsa, AAK-ja, pas një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm, ka vendosur që të mos votojë kandidat partiak për president, të cilët janë në tavolinën e diskutimeve. Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, tha gjithashtu se AAK-ja ka vendosur që të refuzojë ftesën e Kurtit për takim, nëse një e tillë shkon në adresë të partisë.
“Deri tash, për këta emra që janë në tavolinë, nuk kemi votë. Të tjerat edhe një herë duhet t’i shohim bashkë, mirëpo nuk po besoj që ekziston një atmosferë dhe një vullnet nga partia më e madhe që, në mënyrë të sinqertë dhe serioze, të provojë ta përmbyllë këtë proces pa zgjedhje nacionale”, tha nënkryetari Gjini.
Ndërkohë, LVV-ja nuk i ka nisur ftesat partive opozitare për takime, në tentim për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri./RTV21/21Media