Popullsia e Shqipërisë në janar të vitit 2020 ishte 2 milionë e 845 mijë e 955 persona, me rënie prej 0.58%, krahasaur me një vit më parë. Sipas INSTAT, migracioni neto negativ i burrave dhe grave është faktori kryesor i rënies së popullsisë.

Viti 2019 ka shënuar numrin më të lartë të shqiptarëve që kanë zgjedhur të largohen nga Shqipëria.

Sipas INSTAT, 12 mijë burra që gjatë vitit 2019 kishin zgjedhur të mos ktheheshin në atdhe, shifër kjo thuajse e përafërt me vitin paraardhës. Ndërsa, viti 2017 mban rekordin e burrave që kishin zgjedhur të mos ktheheshin në Shqipëri, me 19 mijë e 500 persona.

Derisa burrat kanë nisur të kthehen, janë gratë ato që po zgjedhin gjithnjë e më shumë të largohen nga vendi. Në fakt, sipas të dhënave zyrtare në vitin 2017 rezulton se ishin kthyer 4.628 gra më shumë nga sa kishin dalë nga Shqipëria.

Por, viti 2019 ka rezultuarnë shifra dramatike. 11 mijë gra kishin zgjedhur të mos ktheheshin më në atdhe pasi kishin kaluar kufirin. Sipas të dhënave të INSTAT, në total numri i popullsisë ka shënuar rënie me 0.58% ose e thënë në shifra në datën 1 janar në territorin shqiptar kanë rezultuar 2 milionë e 845 mijë e 955 persona .

INSTAT raporton se vdekjet sipas grupmoshave tregojnë se burrat kanë një përqindje më të lartë të vdekjeve, duke përjashtuar grupmoshën e fundit mbi 84 vjeç. Edhe numri i lindjeve ka pësuar rënie përgjatë vitit të shkuar, ku janë regjistruar 373 lindje më pak./oranews