Bursa studentëve për specializim në trashëgiminë kulturore

 

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” për specializimin e studentëve në fushën e trashëgimisë kulturore. Përmes stimulimit me anë të bursave studentët do të kenë mundësinë më të madhe për ekspertizën në arkitekturë, antropologji dhe arkeologji.

Vlora Dumoshi tha se ky memorandum është shumë domethënës për gjeneratat e ardhshme që synojnë trashëgiminë kulturore.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka nënshkruar një marrëveshje e cila është domethënës për gjeneratat, për ekspertët e fushave që janë të shumë të ndejshëm…kemi nevojë për ngritje të kapaciteteve njerëzore, andaj këto marrëveshje kanë domethënë dhe me këtë rast i ftojë studentët t’i shohin këto fusha që janë domethënëse. Sidomos ku hulumtohet, studiohet trashëgimia kulturore e Kosovës. Andaj ne me shumë përkushtim kemi ndarë buxhetin dhe do t’i financojmë”, tha ajo.

E rektori, Marjan Dema u shpreh entuziast për arritjen e këtij memorandumi, pasi siç tha këto fusha fatkeqësisht më herët nuk janë prekur asnjëherë.

“Me anë të kësaj marrëveshje do të përfitojnë shumë studiues, hulumtues, studentë me çka do të jetë një stimulim për ta që të kenë entuziazëm më të madh për të studiuar dhe hulumtuar në tri fusha që fatkeqësisht nuk janë prek përpara. Në arkitekturë, antropologji dhe arkeologji. Sigurisht që ato bursa që do të ndahen do të japin një mundësi më të madhe që të kemi ekspert në këto fusha që të hulumtohet thellësia, lartësia por edhe kultura e punës dhe studimit”, tha ai

Memorandumi u nënshkrua me qëllim të zbatimit të programit për ofrimin e bursave për studime nga studentët që janë shtetas të Republikës së Kosovës, përkatësisht studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në universitetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Back to top button