Lulzim Peci: Opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë me temën e dialogut

(Lajm i përditësuar)

Lulzim Peci: Opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë me temën e dialogut

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, në emisionin “Click” të RTV21 ka thënë se opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë me temën e dialogut. Ai ka theksuar dy arsye lidhur me këtë.

“E para ata kanë qenë edhe dizajnuesit të marrëveshjeve të mëhershme të cilat duhet të zbatohen në këtë pako. Elementi i dytë është që Albin Kurti dhe Vetëvendosja nuk ka ardh në pushtet me temën e dialogut…”, ka thënë Lulzim Peci.

Muhaxhiri: Në Ohër Kurti e ka bërë një kthim 180 shkallë, nuk mund të kthehet tani në popullizëm

Analisti politik, Artan Muhaxhiri në emisionin debatues “Click” të RTV21, ka thënë se kryeministri Albin Kurti në Ohër e ka bërë një kthim 180 shkallë drejt realizmit dhe se sipas tij tani nuk mund të kthehet në popullizëm.

“Nuk mund të kthehet tanimë në popullizëm dhe të thotë se nuk është Asociacion…”, ka thënë Muhaxhiri.

Në orët e vona të 18 marsit, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje, pas një dite të gjatë të bisedimeve të zhvilluara në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në fakt, ajo për çka janë pajtuar palët ka qenë një Aneks, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë marrë vesh më 27 shkurt në Bruksel.

Alma Lama: Në takimet e radhës gjëja kryesore që do të flitet është Asociacioni

Bashkimi Evropian është vënë në lëvizje për të shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe paralajmëron se shumë shpejtë do të konkretizohen modalitetet e zbatimit të Aneks-planit të dakorduan më 18 mars, në raport me të cilin Aneks shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje konkrete, posaçërisht në nenin shtatë ku flitet për aranzhime të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, e për çka palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Bashkimi Evropian ka ftuar një takim në nivel kryenegociatorësh për javën e ardhshme në Bruksel, ku palëve do t’u kërkohet që të flasin për hapat e parë të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

Ish-ambasadorja, Alma Lama në emisionin “Click” të RTV21, ka thënë se në takimet e radhës gjëja kryesore që do të flitet është çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Vet plani, ose marrëveshja përmban shumë pika dhe ato nuk mund të implementohen për një kohë të shkurtër, nëse do të implementohen në fakt sepse shumicën unë e shoh shumë vështirë të implementueshme ose aspak. Por, mendoj që në takimet e radhës do të diskutohet për çështjen e statutit të Asociacionit”, ka thënë Lama./21Media

Back to top button