Shënohet Dita e Mësuesit

Shënohet Dita e Mësuesit

Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, e cila është një ngjarje me rëndësi kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.

Me këtë rast, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka uruar të gjithë mësuesit duke e vlerësuar lartë rolin e tyre. Bytyqi në Facebook ka shkruar se mësuesit janë shpresa për ditë edhe më të mira për Kosovën.

“7 Marsi është dita kur ne nderojmë mësuesit tanë dhe kujtojmë rolin e tyre të rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë tonë. Kujtojmë sot, edhe mësuesit dëshmorë, edhe ata që bënë përpjekjet më të mëdha të historisë për të zhdukur analfabetizmin, të gjithë ata që krijuan traditën e arsimit shqip. Vlerësojmë përpjekjet tuaja të përditshme për të ofruar arsim cilësor për fëmijët tanë dhe duke besuar fuqishëm në përkushtimin tuaj, ne jemi të sigurtë se do të afrojmë arsimin tonë me atë të vendeve të zhvilluara të botës. Ju, mësues të dashur, i keni dhënë historisë shembuj edhe më të vështirë, duke iu dhënë dije gjeneratave, e njëkohësisht duke i frymëzuar drejt luftës për liri. Prandaj, Ju jeni shpresa për ditë edhe më të mira për Kosovën!”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Për nder të kësaj ditë, në Kosovë sot do të ketë aktivitete të ndryshme në çdo shkollë. Ministri Shyqiri Bytyqi do të ndajë çmimin tradicional “Shaban Jashari”.

Më 7 mars 1887 në Korçë ishte hapur mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj kishte qenë Pandeli Sotiri. Kjo ngjarje kishte qenë një fitore për popullin shqiptar, pasi deri në atë kohë mësimet ishin mbajtur shtëpi private dhe në mënyrë të fshehtë. Kjo shkollë kishte qëndruar e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj kishin qenë figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, e të tjerë./21Media