Cakaj: Nuk ka shqiptarë të infektuar nga koronavirusi në Itali

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj konfirmon se deri me tani nuk ka qytetarë shqiptarë të prekur nga koronavirusi në Itali

Përmes një njoftimi në “Facebook”, Cakaj shprehet se Ambasada e Shqipërisë në Romë dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari po e ndjekin të gjithë çështjen hap pas hapi.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me Ambasaden e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithëshme në Milano dhe në Bari janë duke ndjekur nga afër situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë. Deri më tani nuk ka informacione për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e perhapjes së virusit në territorin shqiptar.”, deklaroi Cakaj.

Ministri apelon qytetarët shqiptarë dhe atyre që udhëtojnë për në Itali që t’iu përmbahen masave të përcaktuara prej autoriteteteve italiane në situatën e emergjencës.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali do të vijojnë informimin e publikut varësisht prej situatës”, përfundoi Cakaj.

Back to top button