Gjykata Themelore në Prizren sot ka informuar se ka caktuar masën e paraburgimitndaj të pandehurit A.Q në kohëzgjatje prej 30 ditësh, që do të llogaritet prej kohës së arrestimit 15.04.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 15.05.2021 për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: lëndimi i rëndë trupor.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.Q, siç është informuar, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

” I pandehuri A.Q., me datë 15 prill, në orët e mesditës, në Prizreni, për shkak te mosmarrëveshjeve paraprake me te dëmtuarën – bashkëshorten e tij, rreth një televizioni, i dyshuari e sulmon te dëmtuarën – bashkëshorten e tij duke e goditur me grushte ne pjesë të ndryshme te trupit, duke i shkaktuar lëndime të renda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.”, ka bërë të ditur gjykata.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.Q., duke marrë parasysh faktin se hetimet janë në fazën fillestare, gjithashtu Gjykata ka marrë parasysh edhe deklarimin e të dëmtuarës sipas së cilës i pandehuri edhe më parë ka ushtruar dhunë dhe e ka keqtrajtuar atë.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.