Gjykata Themelore në Prizren ka informuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve ndaj dy të miturve për veprat “detyrimi” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas komunikatës, masa e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 26.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 25.04.2021, ndaj të miturve G.K., dhe H.B., për shkak të dyshimit të bazuar se të miturit G.K., dhe H.B., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: “detyrimi”,  i mituri G.K., edhe për veprën penale: “mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve”

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturve G.K., dhe H.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Të miturit  G.K., dhe H.B., në bashkë kryerje, nën përdorim të forcës me mjete të rrezikshëm- thikë si dhe një qenë të racës ‘’Pit Bull’’ i kanë detyruar dy të dëmtuar, që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre duke i ‘u marrë me forcë një shumë të të hollave.”, ka bërë të ditur Gjykata.

Kundër këtij vendimi, sipas njoftimit, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media