Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit që i ofroi ryshfet polices

 

Gjykata Themelore e Prizrenit sot informoi se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit R.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: dhënie ryshfeti.

Gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej datës 27.01.2021 deri me datën 27.02.2021.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit R.R., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:  – Me datë 27 janar 2021, rreth orës 22:40 minuta, i pandehuri R.R., në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron personit zyrtar dhe atë oficeres – zyrtare policore pranë PKK në “Vërmicë”, shumën e të hollave prej dyzetë euro (2 x 20), si dhuratë të paarsyeshme në mënyrë që personi zyrtar të mos veproj në pajtim me detyrën e saj zyrtare, në atë mënyrë që derisa e njëjta – oficerja ka qene duke bërë kontrollimin dhe regjistrimin e dokumenteve, ndalet për kontrolle automjeti me tabela të Shqipërisë, të cilin ka qene duke e drejtuar A.D., shtetas i Republikës se Shqipërisë, ndërsa si bashkudhëtar ka qene këtu i pandehuri R.R., i cili ne dokumentet e tij kishte vendosur kartëmonedhat e cekura si me lartë dhe ne pyetjen e zyrtares policore çfarë janë këto te holla, ai është përgjigjur “se janë për te pirë një kafe”, dhe ketë për arsye se kishte tentuar dy here me herët për të kaluar kufirin por ishte kthyer nga zyrtaret policor pasi nuk posedonte kartën e identitetit.”, u bë e ditur në komunikatën e Gjykatës.

Po ashtu, Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse i pandehuri me qëndrimin në liri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ngase i njëjti është shtetas i Shqipërisë, nuk ka ndonjë punë të rregullt e as vendbanim në territorin e Kosovës.

“Andaj duke marrë parasysh këto rrethana i njëjti mund të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, ashtu që qëndrimi i të pandehurit në masën e paraburgimit është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë të procedurës penale, për zbatimin me sukses dhe efektiv të procedurës penale.”, informoi tutje Gjykata Themelore./21Media

Back to top button