Ministria e Infrastrukturës ka nisur fushatën njëjavore për shënimin e “Ditës Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor”.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, tha se ky aktivitet ka karakter ndërkombëtar dhe realizohet në shumë vende të botës, duke besuar se me iniciativa të tilla do të ndikojnë më shumë në ngritjen e sigurisë në rrugë dhe në vetëdijesimin e qytetarëve.

“Ne po fillojmë fushatën një javore që ka të bëjë me ditën e përkujtimit të viktimave të trafikut rrugor, por edhe të parandalojmë aksidentet. Jemi duke punuar në shumë aspekte për ta ngritur sigurinë në komunikacion bashkë me shumë institucione tjera, duke i dhënë rëndësi shpëtimit të jetëve. Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që të mos bëhen pjesë e statistikave të vdekjeve e lëndimeve”, tha ministri Abrashi.

Ndërsa, Jeton Rexhepi, Drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës bëri të ditur se ka rënie të të vdekurve nga aksidentet në komunikacion.

“Mund të themi se ky vit karakterizohet me rënie të aksidenteve dhe rënie të numrit të aksidenteve që kanë humbur jetën”, tha Rexhepi.

Edhe Muhamed Krasniqi, Drejtor i Kolegjit “Tempulli”, tha se çdo 24 sekonda një person vdes nga aksidentet në komunikacion. Krasniqi kërkoi nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në komunikacion dhe ka kërkuar mbështetje për familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre në aksidente./21Media