Shifra të larta të të infektuarve me Covid-19 janë duke u regjistruar gjatë ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut. Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 89 të infektuar dhe 7 të vdekur, përkundër numrit të ulët të të shëruarve që është 17 pacientë. Edhe pse ka trend të rritjes, autoritetet vlerësojnë se situata është ende nën kontroll, sepse rastet janë nga klasterë tashmë të njohur e nga kontakte me të infektuar.

Por, ky trend i rritjes sipas analizave do të jetë i pranishëm edhe për tri ditët e ardhshme, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai pret se siç ndodhi sot me Sarajin që kishim vetëm dy raste, gjatë ditëve në vijim të ketë ulje të të infektuarve edhe në Studeniçan dhe Çair dhe me këtë të normalizohet edhe situata.

“Vlerësimet janë se edhe gjatë 3 ditët e ardhshme numri do të jetë i ngjashëm, pas asaj mund të themi vlerësime, supozime apo parashikim duke u bazuar në atë se sa kontakte do të japin të diagnostikuarit e rinj”, tha Venko Filipçe.

Mes të infektuarve ka edhe të zgjedhur të popullit. I infektuar është deputeti i partisë nga ku vjen edhe Filipçe, LSDM, Muhamed Zekiri dhe drejtoresha e Drejtorisë së Ardhurave Publike, Sonja Lukarevska, e cila dje ka marrë pjesë në shpërndarjen e broshurave si pjesë e fushatës së zgjedhjeve. Për shkak të këtyre rasteve, në vet-izolim janë edhe si zëvendëskryeministrja Mila Carovska dhe ministri Damjan Mançevski dhe Marjan Zabërçanec, sepse ka pasur kontakt me person të infektuar. Në vetëizolim ka shkuar edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu nga BDI.

Rritja e rasteve të të infektuarve e ka hamendësuar Komisionin për Sëmundje ngjitëse që të sjellë vendim për lehtësim të masave, siç është  hapja e kufijve. Ministri Filipçe madje tha se është shumë herët të flitet për këtë çështje.

“Do ta shqyrtojmë situatën gjatë këtyre ditëve. Pavarësisht asaj se tashmë e dimë se cilat janë grupet dhe klasteret, ku janë dhe në cilat qytete, mendoj se tash është ende herët që të hapen kufijtë sepse ai është një rrezik shtesë”,  tha Filipçe.

Kufijtë deri tash i ka hapur Serbia, Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova. Kjo e fundit ka kusht që nëse do ta kalosh kufirin, duhet të jesh negativ nga Covid-19, test i cili nuk është më i vjetër se katër ditë. Testet në Maqedoninë e Veriut bëhen vetëm në rast se ke kontakt të infektuar apo ke simptome me Covid-19. Por, ministri Filipçe nuk përjashtoi mundësinë që në momentin kur do të hapen kufijtë, të ndryshohen edhe kushtet e testimit apo të njëjtat të mos vlejnë fare as në shtetet e rajonit. Vendim nuk ka as për hapjen e çerdheve, pasi ende nuk ka përfunduar skriningu, raporton TV21./21Media